Kirurgjia Pediatrike
Katarakta Kongjenitale
Katarakta kongjenitale është një entitet i veçantë që nënkupton turbullimin e thjerrëzës që nga lindja. Mundet me qenë e njëanshme apo edhe ndonjëherë manifestohet në të dy sytë. Shkaqet e paraqitjes së saj janë të shumtë, por ngarkesat gjenetike si dhe infeksionet virale në tremujorin e parë të shtatzënisë te nëna kanë një rol të veçantë. Shpesh prezenca e kataraktës te fëmijët e porsalindur është e shoqëruar edhe me anomali të ndryshme jo vetëm në organin e të pamurit por edhe në sisteme tjera të organizmit në kuadër të sindromeve të ndryshme.
Trajtimi i kataraktës kongjenitale është operativ dhe duhet të realizohet sa më herët. Sido që të jetë, pas intervenimit kirurgjikal fëmija duhet të jetë në përcjellje rigoroze nga ana e oftalmologut për të ndërmarrë të gjitha masat për preventimin e ambliopisë, sepse vetëm operacioni i kataraktës te fëmijët e posalindur nuk nënkupton zgjidhjen e problemit!
Dakriocistiti Neonator
Një sëmundje e cila lajmërohet në muajt e parë pas lindjes dhe karakterizohet me lotim të shtuar si dhe sekret në sy. Kjo si pasojë e mos hapjes së kanalit të lotëve, një proces i cili zakonisht ndodh te fëmijët e posalindur.
Trajtimi fillon me aplikimin e antibiotikëve si dhe prindërit udhëzohen për një masazh në regjionin e qeses së lotit. Nëse me kalimin e kohës kanali nuk hapet atëherë aplikohen procedurat invazive duke filluar nga sondimi, intubimi i gypave të silikonit e deri te dakriocistorenostomia, një procedurë mjaft e komplikuar kirurgjikale e cila ndërmirret atëherë kur metodat paraprake nuk kanë treguar rezultet e dëshiruara. Të gjitha këto metoda aplikohen në qendrën tonë.
Strabizmi
Qëllimet kryesore të operacionit të strabizmit janë korrigjimi i pozitës së gabuar të muskujve ekstraokular dhe vendosja e shikimit binokular nëse është e mundur. Megjithatë, hapi i parë në mjekimin e strabizmit është korrigjimi i anomalisë së refraksionit dhe prevenimi- mjekimi i ambliopisë.
Operacionin duhet pritur deri në momentin e shërimit të ambliopisë funkcionale. Preferojmë të presim moshën 3-4 vjeçare, pasi që atëherë kemi bashkëpunimin e fëmijës për të caktuar këndin objektiv dhe subjektiv të strabizmit.